Aksidenti i rëndë i ndodhur pasditen e së mërkurës në periferi të Tiranës u mori jetën dy shtetasve egjiptianë, 30 dhe 44 vjeç, të cilët punonin për kompaninë AlbaBeton, raporton Newsbomb.al. Në këtë përplasje fatale mbeti i plagosur edhe drejtuesi i një automjeti tip “Audi”, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.
Në njoftimin e parë, Policia e Shtetit pati vështirësi në identifikimin e personave që ndodheshin në betoniere. Më pas autoritetet konfirmuan se viktimat ishin dy shtetas egjiptianë. Drejtuesi i betonieres humbi jetën në vendngjarje, ndërsa pasagjeri ndërroi jetë në spital, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta mbajtur në jetë.
Përmes një hulumtimi të shpejtë në databasen e “Open Corporates”, të dhënat tregojnë se në strukturën e aksionerëve të kompanisë janë Artan Dulaku, Adrian Dulaku, Genc Dulaku dhe Erjon Harizi. Ky i fundit mban njëkohësisht edhe detyrën e kryetarit të Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, ku është bashkëpronar edhe te AlbaBeton.
Rrethanat e aksidentit janë ende nën hetim dhe deri më tani autoritetet nuk kanë dalë me një version përfundimtar mbi shkaqet e ngjarjes.

