Policia ka reaguar për aksidentin tragjik të ndodhur pasditen e sotme në aksin rrugor “Çermë–Divjakë”, ku si pasojë e përplasjes së dy automjeteve ka humbur jetën një 38-vjeçar.
Sipas uniformave blu, 38-vjeçari Bajram Kaçani, nuk arriti dot t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë gjatë transportimit në spital.
Ndërkohë, drejtuesi i automjetit tjetër, 45 vjeç, bashkëshortja e tij dhe dy fëmijët e mitur, të cilët udhëtonin me të u plagosën por, fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.
“Rreth orës 15:00, në aksin rrugor ‘Çermë–Divjakë’, automjeti me drejtues shtetasin H. M., 45 vjeç, është përplasur me automjetin që drejtohej nga shtetasi B. C., 38 vjeç. Si pasojë e përplasjes, shtetasi B. C. ka humbur jetën gjatë transportimit për në spital.
Shtetasi H. M., bashkëshortja e tij, shtetasja E. M., si dhe dy fëmijët e tyre të mitur, të cilët ndodheshin në automjet, morën ndihmë mjekësore në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën”, thuhet në njoftimin e policisë.
