Ndërsa protesta po hyn në muajin e dytë, beteja kundër Edi Ramës pritet të marrë një dimension ndërkombëtar. Burime të ndryshme flasin për një fushatë që mund të nisë në SHBA dhe të ndërthuret me presionin europian për të prodhuar një zgjidhje të re politike në Shqipëri…
Edi Rama nuk do të ishte aspak i shqetësuar për “Revolucionin Flamingo”, nëse do të kishte përballë vetëm aktorët që shohim çdo ditë në shesh.
As mbështetësit e tyre.
Edhe pse ata janë të shumtë dhe përfaqësojnë një masë të madhe qytetarësh të pakënaqur.
Në një sondazh të publikuar nga një media pranë qeverisë, rreth 40 për qind e të pyeturve deklarojnë se do të votonin një parti të re, ndërsa rreth 50 për qind shprehen se do të votonin partitë tradicionale, ku Partia Socialiste nuk kalon pragun e 34 për qindëve.
Sipas burimeve pranë mazhorancës, sondazhet e brendshme që zhvillon Edi Rama paraqesin një situatë edhe më problematike.
Pikërisht për këtë arsye ai po përpiqet të mbajë sa më larg konsolidimin e faktorëve të rinj politikë, duke përdorur strategjinë e njohur “Divide et Impera”.
Mankthi më i madh i Edi Ramës është bindja se largimi i tij po përgatitet jashtë Shqipërisë dhe se pas këtij procesi qëndrojnë aktorë shumë më të fuqishëm sesa ata që shihen në protestë.
Duke filluar nga disa prej vendeve kryesore të Bashkimit Europian e deri te lobet me ndikim në Shtetet e Bashkuara.
Dalja publike e Dua Lipës, duke kërkuar largimin e Edi Ramës, përbën vetëm fillimin e një vale më të madhe që pritet të vijë muajin e ardhshëm nga Shtetet e Bashkuara.
Sipas burimeve, emra të njohur të Hollywood-it dhe të botës së showbiz-it pritet të angazhohen në një fushatë të gjerë kundër projektit të investimit në Zvërnec dhe Sazan.
Kjo fushatë, sipas të gjitha gjasave, nuk do të fokusohet vetëm te Shqipëria.
Objektivi kryesor pritet të jetë familja Trump dhe kampi republikan, duke përdorur rastin shqiptar dhe marrëveshjen me Edi Ramën si shembull në debatin politik amerikan.
Deri në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, kjo betejë pritet të marrë një dimension edhe më të madh.
Në atë fazë, sipas këtij interpretimi, pritet të përfshihen figura të rëndësishme të Partisë Demokratike amerikane, të cilat do ta përdorin çështjen shqiptare si pjesë të përplasjes së tyre me familjen Trump.
Nëse një skenar i tillë realizohet, ai mund të kthehet në sfidën më të madhe ndërkombëtare me të cilën është përballur ndonjëherë Edi Rama.
Sipas këtij këndvështrimi, ai jo vetëm që do ta ketë të vështirë të mbrohet, por mund të dalë politikisht i dëmtuar rëndë.
Vizitat e shpeshta në Paris dhe afrimi me Emmanuel Macron shihen si përpjekje për të zbutur këtë situatë.
Megjithatë, burime pranë mazhorancës bëjnë të ditur se klima është shumë më e rëndë nga sa duket publikisht.
Vetë Edi Rama, sipas tyre, është i bindur se Europa po ndjek një strategji të mirëkoordinuar ndaj tij.
Një lojë ku Emmanuel Macron ofron “karrotën”, ndërsa Friedrich Merz përdor “shkopin”.
Një kombinim presioni dhe dialogu, që synon ta dobësojë politikisht deri në pikën e largimit.
Sipas të njëjtave burime, pikërisht në momentin kur ky proces të arrijë kulmin, nga Europa pritet të dalin edhe propozimet për menaxhimin e krizës politike shqiptare.
Në diskutim përmendet mundësia e një qeverie të re të drejtuar nga Partia Socialiste, por me një figurë që shihet si më pranë frymës së protestës.
Deri tani emri që qarkullon më fort eshte Ditmir Bushati.
Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që të dalin edhe kandidatura të tjera me profil të ngjashëm.
Sipas këtij skenari, një qeveri e tillë do të vijonte mandatin deri në vitin 2029, por mbi bazën e një pakete reformash të thella politike dhe institucionale./Pamfleti
