“O ma, o ma”, nëna e 17-vjeçares së dhunuar në Fier nga tre adoleshente, ka rrëfyer për mediat tmerrin që ka përjetuar vajza e saj.
Dhuna barbare e ushtruar ndaj një 17-vjeçareje në Fier nga disa adoleshente të tjera ka shkaktuar shumë reagime dhe zemërim në opinionin publik, pas publikimit të videos me përmbajtje tepër shqetësuese.
Ndërkohë pas kërkimit të faljes publikisht nga familja e njërës prej dhunueseve, ka folur për Report TV e ëma e 17-vjeçares së dhunuar, teksa është shprehur se më 8 qershor atëherë kur ndodhi ngjarja, ajo e priste të bijën të shkonte në shtëpi pas kursit të parukerisë, por një u informua nga një telefonatë prej bashkëshortit se ajo ndodhej në spital dhe nuk ishte mirë.
Adoleshenjtja kishte shkuar e vetme në spital për të bërë një serum, teksa kur e ëma shkoi ta merrte e gjeti me shenja dhune në fytyrë.
Pjesë nga intervista
Më merr burri dhe më thotë: “Goca ishte sëmurë.” Hajde, thashë, ndoshta ka kaluar diçka, si gjithë moshatarët. Shkoj për të marrë gocën, se nuk doja që të priste autobusin. Goca më vjen me vrap, e tmerruar. E shoh me serumin në dorë. I them: “Çfarë ke, moj të keqen mami? Pse je vrarë? Kush të ka vrarë?” “Hiç, asgjë”, tha. “Thjesht bëra një serum dhe nga që isha vetëm në spital, u çorra.”
“Po ti ke syrin të nxirë, moj bijë”, i thashë. “Ti ke mjekrën të nxirë”, i thashë. “Flokët e tu pse më duken kështu?”, i thashë…..tha se gjoja i kishin hapur nga këto rrjetet sociale. Pastaj më tregon: “Më dhunuan 3 goca.”
“Pse moj bijë? Unë të çova për në kurs, të prisja të vije në shtëpi. Mos ndoshta i ke ngacmuar gocat?”, i thashë.
“Jo moj mami”, tha, “se nuk kam asgjë me gocat. Thjesht më thanë: ‘Hajde me mua se kemi një surprizë’.” Thjesht shoqe rastësisht. Më duket ishte takuar një herë, dy herë mos gaboj. Ato i kishin dalë para pasi kishte dalë goca nga kursi.
“Çfarë ke moj gocë? Ç’është kjo jotja kështu?” Aty u mërzit goca. Ishte ora 6 e pasdites. I thashë: “Të ka ndodhur diçka. Mamin e ke pranë.” Filloi të qante e të dridhej.
Më tej ajo ka treguar me lot në sy dhe e shkatërrua nga dhimbja se pasi pa të bijën në atë gjendje u nisën për të bërë denoncim në polici. Duke thënë se e bija është e traumatizuar, nrefuzon të ushqehet, qan dhe dridhet nga frika. Ndërsa e pyetur nga gazetarja në lidhje me faljen e kërkuar nga nëna e vajzës 15 vjeçare, ajo është shprehur se dhimbja është aq e madhe sa nuk mund ta falte dhe do t’ia linte Zotit dhe drejtesise.
Pjesë nga intervista:
“Kur pashë vajzën time të dhunuar, nuk më mbante vendi më. Ndoshta dhe ato nëna nuk dinë gjë, por çdo kush ta kthejë thikën nga ana e tij. Sepse unë atë fëmijë mezi e kam rritur, e ushqej me pikat e qumështit. Ngrihet burri, ikën në orën 4 të mëngjesit në punë e të më dhunojnë mua vajzën? Nëse unë fëmijën e kam të sëmurë, unë do shkoj ta kuroj. Vajza ime nuk ngatërrohet me njeri. Është e thjeshtë, sheh punën e saj. Unë s’di gjë si ka ndodhur ky dhunim. Ndoshta mund të ketë qenë ndonjë presion më parë”, tha ajo.
Gazetarja-Mami i njërës nga vajzat ka kërkuar falje…
E di, por unë nuk mund të fal, se shpirti im e di sesa po e vuaj. Iki e qaj fshehurazi. Nuk qaj në sy të vajzave.
Kam një muaj që nuk fle gjumë. Goca ime po dhunohet kështu? Goca ime po ulëret? Po kërkon ndihmë, o ma? Kjo gocë po më kërkon mua ndihmë dhe nuk jam pranë saj.
Të njëjtën gjë do kishin bërë edhe ato nëna. Kap dy veta për flokësh dhe shqit. Çfarë bëri vajza ime? Ishte një kriminele?Mos të përsëritet kjo gjë që i ndodhi vajzës time.
