Një ngjarje tragjike është shënuar në orët e vona të mbrëmjes së premte në aksin rrugor Prrenjas–Librazhd, pranë fshatit Hotolisht, ku një 42-vjeçar ka humbur jetën pasi automjeti me të cilin po udhëtonte u godit nga një gur i madh i shkëputur nga shpati i kodrës.
Sipas informacioneve paraprake, viktima është Arjan Hoxha, 42 vjeç, banues në fshatin Gjergjan të Elbasanit. Ai po drejtonte një automjet të tipit “Benz” kur një gur i madh ra mbi mjetin e tij, duke shkaktuar dëmtime fatale.
Për shkak të goditjes së fortë, 42-vjeçari ka humbur jetën në vendngjarje, pavarësisht se shërbimet e emergjencës dhe policia mbërritën menjëherë pas njoftimit.
Në vendin e ngjarjes kanë ndërhyrë efektivët e Policisë së Shtetit dhe grupi hetimor, të cilët kanë kryer veprimet e para procedurale dhe po punojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave të aksidentit.
Sipas autoriteteve, dyshohet se rrëshqitja e gurit lidhet me kushtet e pafavorshme atmosferike që kanë përfshirë qarkun e Elbasanit gjatë ditëve të fundit. Reshjet e dendura të shiut dhe breshëri kanë shkaktuar rrëshqitje gurësh dhe inertesh në disa segmente rrugore, duke rritur rrezikun për drejtuesit e automjeteve.
Përveç vështirësive në qarkullim, moti i keq ka shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme në sektorin e bujqësisë në disa zona të qarkut.
Autoritetet u kanë bërë apel drejtuesve të mjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit në akset malore, veçanërisht pas reshjeve intensive, kur ekziston rreziku i rrëshqitjes së gurëve dhe materialeve inerte në rrugë.
Ndërkohë, hetimet për këtë ngjarje tragjike janë në vijim, ndërsa pritet që autoritetet të publikojnë më shumë detaje pas përfundimit të ekspertizave.
